DY OSE MË SHUMË FJALË PËR BrrBrr-in e LetsKillua DHE FILOZOFINË ARISIANE!

Kur I thashë Arisit që po filloj të dëgjoj albumin, e normal do më duheshin ca ditë për ta përthithur, më tha: Ndoshta për ty është ca I dhunshëm…- dhe dakord, e vë re ndryshimin nga “Rrno për me tregue” që është më filozofik, me gjuhë me korrekte (haha) por Arisit i theksova që unë para së gjithash jam muzikante dhe si e këtillë, përqëndrimi shkon aty si fillim, për mua, pastaj tek fjala që është po aq e rëndësishme!

Albumi fillon kështu:

White Lotus – Kanye West vibes. Një mix ndjesish qe përftohen nga ndërthurja e nocioneve të ndryshme që lidhen me Arisin vetë ; rrepin që ai përfaqëson ;qytetin ku ai jeton ; famën dhe suksesin si i percepton ; kuptimi që i jep ai shoqërisë : duke I shtyrë njerëzit tek më e mira e tyre e duke I thënë/dhënë të vërtetën, si dhe kompromisi – deri në ç’pikë duhet bërë kompromisi që mos të humbasësh vetveten!

Intro I “Nesër” është I një niveli tjetër. Në albumin e rradhës do sigurohem që harqet t’i hedhim për së gjalli.:p Duhet realisht të kuptoni se s’ka pasurim më të ndjeshëm se të përfshish harqe në një këngë! Harqet ndikojnë në thellësinë fuzionale, pëmbajtjen, ngjyrimet, ndjesitë e çdo gjë që lidhet me muzikëbërjen cilësore.;)

“ S’ki ka shkon pa thon’ t’vërtetën” (Nesër)

 Vërtetë ky album mund të jetë më pak “fin” por nga ana tjetër është me rrugë, e ku ka koncept më shqeto e të drejtëpërdrejtë se rruga! Paradoksalisht, po gjej kaq shumë melodiozicitet në fraza muzikore të shpeshta dhe kjo krijon një kundrapeshë perfekte. FIks kështu ndodh tek “Ujku do mjegull”!

Killua ka fituar kaq shumë respekt ndër këto vite, sa personazheve të përmendura, kush e di sa i bëhet qejfi e i lezeton që përmenden! 🙂

“Une besoj veç te instikti…Aura jeme si dielli i mëngjesit” (Ujku do mjegull)

Kemi thënë që Killua është poeti i kohërave tona sepse ndihet që shkruan si rrjedhim edhe të leximeve që bën. Terminologjia e përdorur është e një djali të epur për dije dhe frymëzim nga të mençmit, ata që kane kontribuar në ndërtimin e shoqërive në pikëpamje të ndryshme. Një këngë ku ti dëgjon referencë kundrejt Frojdit e aferizmit të politikanëve (si tek “Sit down”), sigurisht që kaplon vëmendjen e më tej të vërteton që ky djalë shkruan për të zgjuar njerëzit nga letargjia, apatia dhe propaganda. A nuk është ky thelbi kryesor i rrepit dhe Artit në tërësi?

Kam pikë të dobët ata që natyrshëm duan psikologjinë dhe në qendër të vëmendjes kane fenomenet psikologjike, si rrjedhim ato njerëzore. Pra për mua kush ka epiqendër të tij/saj njeriun, automatikisht hyn në rrezen time të kuriozitetit dhe të dëshirës për të shkëmbyer! Bisedat e mia me të Arisit nuk kanë qenë të shpeshta, por ato që janë zhvilluar, kanë qenë vërtetë kuptimplote për mua. Filozofia e jetës për Arisin me są kam kuptuar është: Ndiq atë që të thotë “stomaku” dhe mos resht se hedhuri lirisht në gjithçka ti mendon e ndjen! Pasuroje jetën me ushqim intelektual dhe këtë përktheje apo konvertoje, në ndriçim shpirtëror për të tjerët, me aq sa mundesh e në format që ti mundesh!

“Uroj që shokt t’i fitojn’ betejat që s’kallxojn’” 

“Njerzit gjith’ dallojn’ nga shumat që refuzojn’”

“Sa ma shum’ famë aq shum’ mu ka pshtir’”

“Dikush m’tha s’vle suksesi kur s’kij shoke

Se xhupi nuk t’ma nxeht’ nëse ata që do kan’ ftoht’

Andrrat nuk vlejn’ sen’ kur s’ke me ka cek nji got’

Prap t’i cojnë kamt te lagjia rrugt nëpër botë

Kshu që Gzuar, Shih ku erdhëm sot

Tu thirr jeta asht e bukur edhe gotat plot

Kshuqë Gzuar shih ku erdhëm sot

Tan kjo luftë merr arsye, kur ki njerz që ti I do” – (Shih ku erdhëm sot)

Kjo për mua është thellësisht personale, ndoshta krijimi që më shkon më shumë drejtë e në zemër, aty ku pikon çatia për çdo përjetim. Ata që më njohin ndoshta e dinë tashmë që unë gëzoj kur të tjerët gëzojnë dhe vuaj kur të tjerët vuajnë! Më ndikon gjithçka ndodh vërdallë dhe kjo është një nga betejat e mia më të forta në raport me veten. Më peshon tej masę kur nuk bëj dot diçka për dikë që është në terr. Arisi thekson se të ndjerit pjesë e një komuniteti e bashkësie njerëzish që i do e të duan, e të qënit në kontakt jetësor me ta, është koncentrati i esencës i të jetuarit plotësisht! Çdo gjë tjetër shtojcë zbukuruese. Anisa Zaçe, një nga psikologet e mía të preferuara në Tiranë, thotë: “Njeriu ka nevojë për njeriun!” E ja, kaq thjeshtë merr kuptim jeta.

“By then” mund të tingëllojë, në impakt, si një këngë tipike hip-hopi, por në fakt thelbi që vjen tek unë, është seksualizimi i femrës (një nga plagët më konkrete të gjinisë tonë); vlerësimi dhe dashuria që duhet të ketë një vajzë e grua për veten se nga aty është pikënisja e gjithçkaje; rinia sot dhe kuptimi që I japin suksesit duke e lidhur vetëm me materialen (e ndeshni qartë edhe tek “Jeshile”) apo rrugën e shpejtë/të shkurtër ; si dhe koncepti mëse banal/mediokër i të gjuajturit sot. Duke mos u ndalur më gjatë për fjalorin e varfër që posedon një pjesë e mirë e djemve/vajzave të reja sot, po kaloj tek fakti që edhe kur e kanë njëri – tjetrin përballë për t’u njohur, zgjedhin të “flasin” me mesazhe në telefon! Kjo është mëse e trishtë. 

Këtë trajtim e gjejmë edhe tek “Mask N’Kry” aty ku “dilema sokrate” nxjerr kokën sipas Killuas. Kthehemi tek çfarë përmenda në një paragraf më sipër me: “Ego t’brishta Tik Tok Heroes…Ktu qyteti ta vjedh fmijën”. 

Ajo që me pak e mendoja unë Arisin ishte…romantik! :p Pra që të krijojë e të shprehet për një marrëdhënie dashurie. Nuk e di pse më është përcjellë kështu. “Vera kur vjen” ma ndryshoi qasjen haha. Një krijues, mashkull, që është i vetëdijshëm dhe pranon që ka shkaktuar dëme psikoemocionale, e ndihet në faj. E rrallë apo jo? :p 

“Ndoshta fmis tan i lypi falje ni ditë, që te njerzit unë besimin ta hupa”

“Ti ke e vetmja që m’pe mu pa mask’

për ça pe ti mke dasht ; e ke pas zemrën plot kur frigoriferi ke bosh”, tregon një ndër format më puritane të dashurisë romantike!

Mos t’ju flas pastaj për “Po Po” që e ka lëshu’ zemrën fare, e ka zgjedhur ta llastojë të dashurën ashtu si ç’e meriton çdo vajzë/grua! Kudos o Aris romantiku haha.:)

Mr Pacman: Perëndim hip hop style. Ndjen diferencë në rrepim, frazim, intonacion. Ndoshta krijimi që ndihet më shumë Gemini-zmi ♊️, se ka pak nga të gjitha (haha), ça s’ka përfshirë! Prap unë do veçoj altruizmin/empatinë si tipar : “ e sheh kur janë veç kur ua lsho dritën tjerve…”! 

Të vetëndjerit dhe superioriteti i “Zizek” nuk më pëlqen. Po dhe Arisi këtë do besoj, që ky diss-llëku që ekziston midis individëve, duke treguar ça jam unë e ça je ti, të mos ekzistojë se është e pakuptimtë! Bota ka vend për të gjithë. Franklin Roosvelt ka thënë: “Competition has been shown to be useful up to a certain point and no further, but cooperation… is the thing we must strive for today.” Sot njerëzit duket sikur janë më të ndarë se kurrë dhe më me ego se asnjëherë më parë. Ndërkohë që pikërisht sot, për rezultate më konkrete e çdo përfitim tjetër njerëzor, kemi aq shumë nevojë të jemi bashkë e të shkëmbejmë, pa interes e me pastërti! 

Në fragmentin e White Lotus kam theksuar që një nga pikat kyçe jo vetëm të këtij albumi por të gjithë narrativës artistike që shpalos Killua aka Aris, është demaskimi i asaj pjese të hierarkisë dhe të pushtetit, që ka rrënjosur nepotizmin, administratën e nënshtruar, e atare që i kanë ngjitur shkallët në bazë antivlerash. Arisi nuk ka frikë te rebelohet, të reagojë, të dalë kundër. Poet dhe revolucionar, që dënon pa iu dridhur qerpiku edhe ato “artistë” që artin e tyre tashmë kane zgjedhur ta bëjnë pis, duke ndjekur interesa vetjake! Artisti ka edhe jetën e vet për të siguruar, absolutisht, por mos të harrojmë që ka përgjegjësi kryesore dhe mision, të drejtojë cilësisht turmën që e ndjek! Po, arti është mision mbi të gjitha, mision iluminues, e më pas zbavitje. “Prej kërkuj’ sen nuk presim” është mesazhi më i pastër që përcjell këtë: S’ka përmbushje më të madhe se të arrish çdo gjë vetë, pa I shtrirë dorën dikujt, sidomos atyre më lart se ty, e mbi të gjitha, pa I rënë në qafë askujt!

Për të vazhduar po aq sinqerisht sa më sipër, për “Jakup Ferri” s’di ç’të shkruaj. E vetmja që nuk mu fut në sistem dhe që nuk më fton ta ridëgjoj. Ndoshta s’e kam kuptuar? Do duhet një bisedë në studio me Arisin e që e sigurt, si gjithmonë, do e filozofojë lezetshëm e do bëjë pyetje ekzistencialiste! :p E pas kësaj, do shpërthejë Mafia, loja që ka zbuluar talente në atë studio! 🙂

Që nga titulli e pata përshtypjen që “Hipoteza mbi ndjesi” do shkonte në skutat ndjesore të krijuesit. Nuk di çfarë vargu të shkepus më parë, t’ju tregoj gamën e të vërtetave në këtë tekst. Të vërteta personale, të vërteta shoqërore, të vërteta popullore/publike, mbi besimin, mbi lirinë, mbi pasigurinë, mbi dashurinë…mbi unin! Harmonia tonale që shoqëron vargjet, shumë interesante.

T’vërtetën nuk e dom, pranaj ajo rri me fmi

Njerzit gjithmonë zgjedhin veten dhe kur zgjedhin ty

Ata që nuk e kan folin për besnikëri

Tan dishepujt drejt vetes

E kthej t’vërtetën

Ata që nuk dinë t’thon si me e jetu jetën

Hanës unë i thashë sonte m’ndriço mu dikush tjetër

Gaboj se i deshti tjert ma shum’ se veten

Tani do ndalem në dy këngët e fundit të albumit, në ato më melodiozet, ato që nëpërmjet vokalit femëror kanë zbutur dhe çmishëruar çdo ashpërsi mashkullore! 

“Kanga e Faustit”:

“Grija, i dashur miku im, është e gjitha një teori, dhe jeshilja, pema e artë e jetës!”

Shkëputur nga Faust, i Gëtes. Kështu mbyllet ky krijim! 

Sado kompleks dhe absurd të jetë realiteti, duhet të besojmë që rrezet e diellit, ngjyrat e natyrës, era e nanës, e çdo mrekulli tjetër e jetës, do të na përkedhelin shpirtin! Ndaj duhet jetuar momenti plotësisht, me mirënjohje dhe vetëm mirënjohje! 

Kombinimi i dy mendjeve avantgarde/surrealiste si i Killuas dhe Kastros, s’mund të sjellë tjetër veç një prodhim ndryshe në treg! 

Dhe vijmë tek e preferuara ime e këtij albumi, ajo që më bën të përhumbem në rrugët e Tiranës edhe tani kur jam përtej oqeanit! “Ndryshe nuk di” mund ta dëgjoj kudo e në çdo kohë. Në aspekt personal, vlerësoj tej mase faktin që Arisi ka tërhequr Melissën në këtë bashkëpunim, me ngrohtësi e duke i induktuar një boost besimi, besim që të duhet shumë kur e nis rrugën e këngës, aq më tepër në industrinë e çmendur albaneske, ku shumë këngëtare (playback) vetëquhen Diva! 

Melissa është zë i veçantë stili. Timbri i saj mëndafshtë, të fton të katapultohesh në breg të detit, gjatë një perëndimi, e të përqëndrohesh tek frymëmarrja jote, duke arritur në skutat më të paqta tuat! Ky duet është shumë organik e kimia mes Killua dhe Melissës është vërtetë e ndjeshme. Është arritje që bashkëpunimi yt i parë zyrtar të jetë i këtij nivel prodhimi, me në krye Arisin dhe Eugenin, një tjetër fantastik në atë studio. Se aty të gjithë fantasikër janë, nga i pari tek i fundit.:) E pra, tani të shpresojmë që Melissa t’i futet seriozisht këngës, e të na bekojë veshët me zërin e saj! ✨

Ky album bëri që unë të përfshihesha shumë më shumë se ç’mendoja. Është i gjithi efekti i Arisit! Zgjedhja e tij sesi e konkretizon krijmtarinë dhe për çfarë, bëri që unë të shprehesha porsi kur flas me vete…pa doreza a filtra! 

Aris, ndoshta ky do të jetë i vetmi shkrim kaq i gjatë që do bëj për ty :p por e sigurt është që do të të ndjek gjithnjë me kënaqësi, zemër të hapur e vërtetësi…ashtu siç është edhe Arti yt! 

Me xhanllik,

Një tjetër Gemini,

Margret!

Leave a comment